Regjisori i “No Time to Die”, filmi i 25-të i James Bond, befasoi me deklaratën e tij kur tha se varianti i agjentit më të famshëm në botë, të interpretuar nga Sean Connery i cili dhe e ktheu 007-tën në një simbol jo vetëm të aftësisë, por edhe joshjes mashkullore, ishte “në thelb” një përdhunues.

Cary Fukunaga iu referua një skene në filmin “Thunderball” të vitit 1965, ku Bondi i Connery-t puth me forcë një infermiere të interpretuar nga Molly Peters. Pas kësaj, Bond i thotë infermieres se ai do të heshtë në lidhje me një informacion që mund t’i kushtojë asaj punën nëse ajo përfundon në shtratin e tij.

“Nuk do të thuash … oh, jo”, shprehet ajo ndërsa agjenti i përgjigjet “Oh, po” dhe i heq rrobat. “No Time to Die” ndërkaq me Daniel Craig në rolin e 007, konsiderohet si filmi Bond me barazinë më të madhe mes personazheve femërore e mashkullore.

Një grua në rolin e James Bond? Daniel Craig thotë “jo, nuk duhet të interpretohet nga një femër”. Kështu u shpreh së fundmi në një intervistë për Radio Times, aktori anglez i njohur si 007-ta, agjenti sekret i madhërisë së saj, te i shumëprituri “No Time to Die”, i 25-ti në serinë James Bond dhe që e ka premierën më 28 shtator, në Londër. Craig është i mendimit se për kapitujt e ardhshëm të sagës mund të mendohen role femërore po aq të rëndësishme sa i Bond-it, por pa interpretuar personazhin kryesor.

Rikujtojmë, se aktori i njohur Daniel Craig ka pranuar se ndihej fizikisht dhe mendërisht i lodhur kur përpiqej të përballonte famën e tij të re tek personazhi i James Bond. Aktori 53 vjeçar, u bë i njohur në të gjithë botën kur mori rolin e agjentit 007 nga Pierce Brosnan, duke bërë paraqitjen e tij të parë në “Casino Royale” në vitin 2005. Duke folur në dokumentarin Apple TV+, Daniel tha se si nuk ishte i përgatitur për famën e menjëhershme që erdhi me pranimin e rolit.

Leave a Reply