Një grua në rolin e James Bond? Daniel Craig thotë “jo, nuk duhet të interpretohet nga një femër”. Kështu u shpreh në një intervistë për Radio Times, aktori anglez i njohur si 007-ta, agjenti sekret i madhërisë së saj, te i shumëprituri “No Time to Die”, i 25-ti në serinë James Bond dhe që e ka premierën më 28 shtator, në Londër.

Craig është i mendimit se për kapitujt e ardhshëm të sagës mund të mendohen role femërore po aq të rëndësishme sa i Bond-it, por pa interpretuar personazhin kryesor.
Pak a shumë siç ndodh me “No Time to Die” ku Craig tërhiqet nga MI6 e zëvendësohet nga një agjente me leje për të vrarë e në jetën reale ajo është aktorja britanike Lashana Lynch.  Madje, Lynch po përflitej për të intepretuar Bond-in në të ardhmen, edhe pse në një intervistë të fundit dhënë për “The Guardian”, ajo vetë e mohoi këtë mundësi.

Debati vazhdon prej kohësh e Craig nuk ka pikëpyetje:

Thjesht duhet të ketë role më të mira për femrat. Përse një femër të intepretojë James Bond-in kur mund të ketë role po aq të vlefshme sa i James Bond-it?

Të shumtë janë ata që e mendojnë si Daniel, mes tyre producentja Barbara Broccoli. Sipas saj, “007-ta mund të jetë i çdo etnie, por burrë”. Sa i përket zëvendësuesve të mundshëm të Craig-ut, në listë janë aktorë të kalibrit të Tom Hardy-t, Idris Elba-s e Tom Hiddleston-it.

Leave a Reply